Drita e Airbag-ut e Ndezur — Çka Do të Thotë Vërtet

DIAGNOSTIKË E AIRBAG-UT

Drita e Airbag-ut e Ndezur — Çka Do të Thotë Vërtet

SRS / Airbag System Diagnostics

Kjo dritë nuk është si të tjerat. Kur drita e airbag-ut qëndron e ndezur, sistemi SRS është çkyçur — dhe kjo do të thotë që në një aksident airbag-ët nuk do të hapen dhe rripat nuk do të tërhiqen. Vetura ecën normal, asgjë nuk dëgjohet, asgjë nuk ndihet. Pikërisht prandaj kjo dritë lihet pas dore më shumë se çdo tjetër.

A ËSHTË URGJENTE?

Vetura është e sigurt për të vozitur në kuptimin mekanik, por ti po vozit pa mbrojtjen për të cilën e ke paguar. Nëse ka fëmijë në sedilen e përparme ose vozit shpesh në magjistrale, trajtoje si prioritet. Po ashtu: drita e airbag-ut e ndezur e rrëzon kontrollin teknik, dhe në shitje e ul çmimin e veturës shumë më tepër se sa kushton riparimi.

SHKAQET E MUNDSHME

Gjashtë shkaqet që i hasim më shpesh

Moduli i airbag-ut e teston vazhdimisht secilën pjesë të sistemit duke matur rezistencën e qarqeve — airbag-ët, tensionuesit e rripave, sensorët e goditjes, sensorin e sedilës. Sapo njëra vlerë del jashtë kufirit, moduli e regjistron gabimin, e çkyç sistemin dhe e ndez dritën.

1. Prizat nën sedilet e përparme

Nën secilën sedile ka priza të verdha — për airbag-un anësor, për tensionuesin e rripit dhe për sensorin e sedilës. Sedilja lëviz para-prapa mijëra herë, dhe kablloja bëhet e lodhur. Prizat shkëputen edhe kur sedilja hiqet për pastrim ose kur diçka futet nën të. Ky është shkaku numër një dhe shpesh nuk kushton fare shumë.

2. Spirala e timonit

Airbag-u i timonit rrotullohet bashkë me timonin, prandaj lidhja bëhet me një shirit të mbështjellë brenda një kutie pas timonit. Ai shirit këputet me kohë. Shenja klasike: bashkë me dritën e airbag-ut nuk punon më boria, ose nuk punojnë butonat në timon, ose tempomati. Nëse i ke këto bashkë, shkaku është pothuajse gjithmonë spirala.

3. Sensori ose dyshekthi i sedilës

Shumë vetura gjermane e matin peshën në sedilen e pasagjerit që të vendosin a duhet hapur airbag-u. Ai dyshekth me tela të hollë çahet me vite përdorimi. Te disa modele gjendet edhe një kabllo e njohur si problem që këputet pikërisht në pikën ku palohet.

4. Të dhënat e aksidentit të ruajtura në modul

Ky është shkaku më i rëndësishëm te ne. Shumica e veturave në Kosovë vijnë të importuara. Nëse vetura ka pasur aksident jashtë dhe airbag-ët janë hapur, moduli e ruan një regjistrim të përhershëm të asaj goditjeje. Ai regjistrim nuk fshihet me një lexues të zakonshëm — moduli duhet trajtuar posaçërisht ose ndërruar. Nëse dikush ta ka “fikur” dritën shpejt e shpejt para shitjes, ka mundësi që airbag-ët as që janë aty.

5. Ujë në dysheme

Moduli i airbag-ut te shumica e veturave qëndron nën konsolën e mesme, pikërisht ku mblidhet uji nëse rrjedh kondicioneri ose nëse është zënë gypi i kullimit. Korozioni i prizave atje i jep gabime që duken si defekte të shumta njëherësh.

6. Tension i ulët

Si te ABS-i, edhe këtu një bateri e dobët i ndez drita pa pasur asnjë defekt të vërtetë. Matja e tensionit është hapi i parë, jo i fundit.

Fshirja e kodit këtu është më e rrezikshme se kudo tjetër

Te motori, një kod i fshirë kthehet dhe e humb koha. Te airbag-u, një kod i fshirë mund të fikë dritën në tabelë pa e riparuar asgjë — dhe ti mbetesh me bindjen se sistemi punon. Ne nuk e fikim dritën e airbag-ut pa e riparuar shkakun. Nëse dikush ta ofron këtë si zgjidhje, ai nuk po ta rregullon veturën; po ta fsheh problemin.

Ka edhe “zgjidhje” që qarkullojnë në treg

Shiten rezistenca të vogla që futen në vend të airbag-ut dhe e mashtrojnë modulin sikur gjithçka është në rregull. Drita fiket. Airbag-u nuk ekziston. Në një veturë të importuar me histori të panjohur, kjo mundësi kontrollohet gjithmonë.

Para se ta blesh një veturë

Leximi i modulit të airbag-ut është një nga kontrollet më të vlefshme para blerjes, sepse e tregon aksidentin që bojatisja e mirë e fsheh. Nëse je duke blerë veturë, kjo hyn te kontrolli para blerjes.

Mos e prek vetë

Airbag-u është një ngarkesë eksplozive. Kurrë mos i shkëput prizat me kontaktin e ndezur dhe mos e hap timonin vetë. Punohet me baterinë e shkëputur dhe pas një pritjeje të caktuar që sistemi të shkarkohet. Leximi i modulit bëhet te diagnostika kompjuterike.

PYETJE TË SHPESHTA

A hapen airbag-ët nëse drita është e ndezur? Jo. Drita e ndezur do të thotë që sistemi është çkyçur dhe në aksident airbag-ët nuk do të hapen.

A e kalon kontrollin teknik me dritën e airbag-ut? Jo, është arsye për refuzim.

M’u ndez drita pasi e pastrova veturën / e lëviza sedilen. Pse? Pothuajse gjithmonë një prizë e verdhë nën sedile që është shkëputur ose lëvizur. Kontrollohet e para dhe shpesh zgjidhet shpejt.

Nuk më punon boria dhe drita e airbag-ut është e ndezur. A ka lidhje? Po. Të dyja kalojnë nëpër spiralen e timonit. Kur ajo këputet, i humb të dyja njëherësh.

A mund të fshihen të dhënat e aksidentit nga moduli? Jo me një lexues të zakonshëm. Moduli ose trajtohet posaçërisht ose ndërrohet — dhe para kësaj duhet konfirmuar që airbag-ët dhe tensionuesit janë vërtet në vend dhe funksionalë.

Sa kohë merr të gjendet shkaku? Leximi i modulit merr pak minuta. Nëse gabimi është i ndërprerë — vjen dhe shkon — duhet kohë më shumë sepse duhet gjetur pikërisht lëvizja që e shkakton.

A E KE KËTË PROBLEM?

Drita e airbag-ut është e vetmja dritë që nuk të jep asnjë shenjë tjetër derisa të jetë vonë. Sillna veturën në Sonic Garage në Ferizaj — e lexojmë modulin SRS, të tregojmë çka është ruajtur brenda tij dhe a ka histori aksidenti, dhe ta themi saktësisht çka duhet riparuar. Punojmë edhe me klientë nga Kaçaniku, Shtimja dhe Hani i Elezit.