Leximi i Kodeve të Gabimeve — Çka Tregojnë Vërtet

DIAGNOSTIKË KOMPJUTERIKE

Leximi i Kodeve të Gabimeve — Çka Tregojnë Vërtet

Fault Code Reading & Freeze Frame Analysis

Kur ndizet një dritë në tabelë, kompjuteri i veturës e ruan një kod gabimi — për shembull P0299 ose P0401. Shumica mendojnë se kodi tregon se cila pjesë është prishur. Nuk është ashtu. Kodi tregon ku kompjuteri e ka vërejtur problemin, jo çka e shkakton atë. Diferenca mes këtyre dyjave shpesh është disa qindra euro.

A ËSHTË URGJENTE?

Varet nga kodi. Një gabim te sensori i temperaturës së jashtme nuk e prek fare vozitjen. Presioni i ulët i vajit, gabimi në sistemin e frenave ose motori në modalitet emergjence e prekin menjëherë. Rregulli i artë: nëse drita e motorit qëndron e ndezur dhe vetura ecën normal, çoje sa më shpejt por pa panik. Nëse drita pulson, fike motorin dhe telefono — pulsimi do të thotë djegie e gabuar që po e shkrin katalizatorin.

SI FUNKSIONON

Kodi është adresë, jo diagnozë

Një veturë e sotme ka mes 20 dhe 80 module elektronike që bisedojnë mes vete. Kur njëri lexon një vlerë jashtë kufijve të pritur, e ruan një kod dhe — nëse gabimi është mjaft serioz — e ndez dritën.

Kodi ka gjithmonë të njëjtën formë: një shkronjë dhe katër numra. Shkronja tregon sistemin:

P — motori dhe transmisioni
B — karroceria: dritat, kondicioneri, sedilet, airbag-u
C — shasia: ABS, ESP, drejtimi, suspensioni
U — komunikimi mes moduleve

Një shembull që e hasim çdo javë: P0299

P0299 do të thotë fjalë për fjalë “turbina nuk po e jep presionin që pret kompjuteri”. Shumë e lexojnë këtë kod dhe menjëherë e ndërrojnë turbinën. Por të njëjtin kod e jep edhe një gyp i çarë i intercooler-it, edhe një valvul MAP e ngjitur, edhe gjeometria e ndryshueshme e turbinës e bllokuar nga bloza, edhe një sensor MAF i papastër. Turbina e re kushton disa qindra euro. Gypi i çarë kushton njëzet. Prandaj kodi lexohet, e pastaj matet.

Freeze frame — pjesa më e vlefshme që shumica e injoron

Në momentin kur e ruan kodin, kompjuteri njëkohësisht e fotografon gjendjen e motorit: sa rrotullime kishte, sa ishte temperatura e ujit, sa ngarkesë, çfarë shpejtësie, në cilin marsh. Kjo fotografi quhet freeze frame dhe të tregon kur ndodh problemi. Një kod që shfaqet gjithmonë në motor të ftohtë tregon diçka krejt tjetër nga i njëjti kod që shfaqet vetëm në 3000 rrotullime nën ngarkesë.

Fshirja e kodit nuk e rregullon veturën

Ky është keqkuptimi më i shpeshtë. Kodi fshihet, drita fiket, dhe pas pesëdhjetë kilometrash drita kthehet — sepse defekti kurrë nuk u prek. Fshirja e fshin edhe freeze frame-in, edhe historikun, edhe të dhënat e gatishmërisë. Nëse e fshin kodin para se ta masësh problemin, e ke shkatërruar provën.

Pse nuk mjafton lexuesi i lirë nga interneti

Lexuesit OBD2 që kushtojnë dhjetë a pesëmbëdhjetë euro e lexojnë vetëm modulin e motorit dhe vetëm kodet standarde. ABS-i, airbag-u, transmisioni automatik, moduli i komfortit, moduli i timonit — asnjëri nuk shihet. Nëse drita e airbag-ut është e ndezur dhe lexuesi thotë “no codes found”, kjo nuk do të thotë që s’ka gabim; do të thotë që lexuesi nuk e sheh atë modul.

Po ashtu kodet specifike të prodhuesit — ato të VAG-ut te Volkswagen, Audi, Škoda dhe Seat, ose kodet e gjata te Mercedes — nuk përkthehen fare nga lexuesit e lirë. Ti sheh një numër; nuk sheh çka do të thotë. Kjo është arsyeja pse diagnostika kompjuterike bëhet me pajisje që i lexon të gjitha modulet.

Kodet e vjetra në vetura të importuara

Shumica e veturave në Kosovë vijnë të importuara dhe shpesh sjellin me vete kode të ruajtura nga vite më parë, nga probleme që tashmë janë riparuar jashtë. Prandaj gjithmonë ndahen kodet aktive nga ato historike. Një kod historik i vetëm, pa dritë të ndezur, zakonisht nuk kërkon asgjë.

PYETJE TË SHPESHTA

A mund të vozis me dritën e motorit të ndezur? Nëse drita qëndron e ndezur dhe vetura ecën normal, po — por çoje për kontroll sa më shpejt. Nëse drita pulson, jo: fike motorin dhe telefono.

E fshiva kodin dhe drita u kthye pas disa ditësh. Pse? Sepse defekti është ende aty. Kompjuteri e ri-teston sistemin në çdo ciklus vozitjeje dhe e ndez dritën përsëri sapo e gjen të njëjtin problem.

A i lexoni të gjitha markat? Diagnostika jonë i mbulon markat më të zakonshme në Kosovë — Volkswagen, Audi, Škoda, Seat, BMW, Mercedes, Opel dhe të tjera. Për ndonjë markë të rrallë, telefono para se të vish dhe ta konfirmojmë.

Sa kohë merr leximi i kodeve? Vetë leximi merr pak minuta. Koha shkon te matjet që e konfirmojnë se cili nga shkaqet e mundshme është i vërteti — dhe pikërisht ajo pjesë ta kursen paranë.

A e fshini kodin nëse unë e kërkoj? Po, por vetëm pasi ta kemi shpjeguar çka do të thotë. Nuk e fshijmë kodin që dikush ta shesë veturën me dritë të fikur.

A E KE KËTË PROBLEM?

Nëse ke një dritë të ndezur, ose dikush ta ka lexuar një kod dhe nuk e ke kuptuar çka do të thotë, sillna veturën në Sonic Garage në Ferizaj. E lexojmë, e shpjegojmë dhe ta themi çka kushton — para se të prekim asgjë. Punojmë edhe me klientë nga Kaçaniku, Shtimja dhe Hani i Elezit.