SISTEMI I DREJTIMIT
Timoni i Rëndë ose me Zhurmë — Shkaqet
Power Steering Faults
Timoni që bëhet i rëndë, ose që lëshon një zhurmë si ulërimë kur e kthen deri në fund, është ndër ankesat më të shpeshta — dhe ndër ato ku shkaku ndryshon krejt varësisht a e ka vetura drejtimin hidraulik apo elektrik. Prandaj gjëja e parë që përcaktohet nuk është defekti, por cili sistem e ka vetura.
A ËSHTË URGJENTE?
Timoni i rëndë nuk do të thotë timon i bllokuar — vetura drejtohet, thjesht me shumë më tepër forcë. Por dy raste kërkojnë ndalje: nëse rëndimi vjen papritur gjatë vozitjes, dhe nëse bashkë me të ndizet drita e drejtimit në tabelë. Te sistemet hidraulike, një rrjedhje e madhe mund ta lërë pompën pa lëng dhe ta prishë atë brenda minutash.
SHKAQET E MUNDSHME
Hidraulik apo elektrik — dy botë të ndryshme
Së pari: gomat
Para çdo diagnoze të shtrenjtë matet presioni i gomave. Gomat e zbrazëta e bëjnë timonin dukshëm më të rëndë, sidomos në shpejtësi të vogla dhe në parkim. Kjo është falas dhe e zgjidh një pjesë të mirë të ankesave.
Drejtimi hidraulik — çka prishet
Niveli i lëngut. Rezervuari ka shenja min dhe max. Nëse është nën minimum, diku po pikon: nga gypat, nga pompa, ose nga vetë kutia e drejtimit. Mbushja pa gjetur rrjedhjen është zgjidhje për një javë.
Ajri në sistem. Kjo e jep zhurmën klasike që rritet kur e kthen timonin dhe që ndryshon me rrotullimet e motorit. Në rezervuar shihet shkumë. Ajri hyn nga një lidhje e keqe në anën e thithjes ose pas një rrjedhjeje.
Rripi. Një rrip i zhveshur ose i lirë rrëshqet mbi rrotullën e pompës. Shenjë tipike: timoni rëndohet vetëm kur e kthen shpejt ose vetëm në rrotullime të ulëta, dhe dëgjohet një kërcitje e shkurtër.
Pompa e konsumuar. Jep presion të mjaftueshëm në rrotullime të larta, por jo në parkim. Prandaj shumica e vërejnë se timoni është i rëndë vetëm kur manovron ngadalë.
Kutia e drejtimit. Rrjedh nga guarniturat e brendshme dhe shpesh e lag gomën harmonike anash. Ajo gomë e mbushur me vaj është shenjë e qartë.
Drejtimi elektrik — çka prishet
Këtu nuk ka lëng dhe nuk ka rrip. Ndihma vjen nga një motor elektrik, dhe kur ai çkyçet, timoni bëhet menjëherë shumë i rëndë dhe ndizet drita. Shkaqet më të shpeshta janë një gabim i ruajtur në modul, sensori i momentit në kolonë, tension i ulët nga bateria ose alternatori, dhe te disa modele lidhjet brenda modulit.
Detaj i rëndësishëm: një bateri e dobët ose një alternator që nuk mbush mirë i ndez shpesh drita drejtimi pa pasur asnjë defekt te vetë drejtimi. Prandaj matet tensioni para se të preket ndonjë pjesë.
Kur nuk është ndihma fare
Nëse timoni është i rëndë por ndihma punon, shkaku mund të jetë mekanik: sferat e tharë, kutia e drejtimit e ngushtuar nga brenda, ose kushinet i mbajtëses së amortizerit. Këto ndihen si rëndim i njëtrajtshëm, pa zhurmë dhe pa dritë.
- Matje e presionit të gomave para çdo gjëje tjetër
- Kontroll i nivelit dhe i pastërtisë së lëngut te sistemet hidraulike
- Kërkim i rrjedhjes te gypat, pompa dhe kutia e drejtimit
- Kontroll i rripit dhe i tensionuesit
- Leximi i kodeve nga moduli i drejtimit te sistemet elektrike
- Matje e tensionit të baterisë dhe e mbushjes nga alternatori
Zhurma tregon shumë
Një ulërimë që rritet me rrotullimet dhe forcohet kur timoni arrin fundin është pompë ose ajër. Një kërcitje e shkurtër vetëm në fillim të kthimit është rrip. Një trokitje kur kalon gunga dhe kthen timonin nuk është drejtimi fare, por lidhëset ose sferat.
Mos e mbaj timonin të kthyer deri në fund
Kur e mban timonin të shtypur në fund për disa sekonda, presioni në sistem shkon në maksimum dhe lëngu nxehet shpejt. Kjo është mënyra më e sigurt për ta vrarë një pompë të shëndoshë. Kthehu një gisht prapa nga fundi.
Lëngu i duhur
Jo çdo sistem përdor të njëjtin lëng. Disa duan lëng të posaçëm drejtimi, të tjerë lëng transmisioni. Lëngu i gabuar i fryn guarniturat dhe e kthen një rrjedhje të vogël në riparim të plotë. Kontrollohet çka kërkon vetura, jo çka është në raft.
Kur lëngu del i zi dhe me ndonjë grimcë
Kjo do të thotë se pompa po hahet nga brenda dhe po i dërgon grimcat në kutinë e drejtimit. Vetëm ndërrimi i pompës pa larjen e sistemit e përsërit dëmin.
PYETJE TË SHPESHTA
Timoni më është rënduar papritur. Çka të bëj? Ndalu në vend të sigurt dhe kontrollo nivelin e lëngut nëse vetura ka drejtim hidraulik, dhe a ka ndonjë dritë të ndezur. Rrjedhja e madhe e prish pompën shpejt.
Timoni bën zhurmë kur e kthej deri në fund. A është pompa? Mund të jetë pompë e konsumuar, ajër në sistem ose nivel i ulët. Nëse në rezervuar ka shkumë, dyshimi i parë është ajri.
Timoni është i rëndë vetëm në parkim. Pse? Sepse aty kërkohet presioni më i madh. Zakonisht presion i ulët gomash ose pompë e konsumuar.
A ka lidhje bateria me timonin? Te veturat me drejtim elektrik, po. Tension i ulët e çkyç ndihmën dhe e ndez dritën pa pasur defekt në vetë drejtimin.
A mund të vozis me timon të rëndë? Mund, por vetura kërkon shumë më tepër forcë sidomos në manovra dhe në rast rreziku. Nuk këshillohet të zgjatet.
Sa kohë merr të gjendet shkaku? Te sistemet hidraulike zakonisht shpejt, sepse rrjedhja ose zhurma tregon vetë. Te sistemet elektrike varet nga çka është ruajtur në modul.
A E KE KËTË PROBLEM?
Timoni i rëndë ka shkaqe që kushtojnë nga zero — presion gomash — deri te kutia e drejtimit. Sillna veturën në Sonic Garage në Ferizaj dhe e gjejmë me radhë, duke filluar nga më e lira. Punojmë edhe me klientë nga Kaçaniku, Shtimja dhe Hani i Elezit.