FILTRI I GRIMCAVE
DPF I MBUSHUR
Blocked diesel particulate filter
DPF-ja është filtri që i mban grimcat e blozës nga auspuhi. Çdo veturë dizel e importuar pas vitit 2011 e ka. Kur mbushet, vetura humb fuqinë dhe hyn në limp mode — por DPF-ja e mbushur pothuajse kurrë nuk është problemi i vërtetë. Ajo është pasoja e diçkaje tjetër.
A ËSHTË URGJENTE?
Mund të vozitni ngadalë deri te servisi, por jo gjatë. Një DPF e bllokuar e rrit presionin prapa turbinës — dhe kjo është mënyra se si një problem i filtrit shndërrohet në turbinë të prishur. Nëse vetura ka filluar regjenerime të shpeshta ose ka dalë paralajmërim, mos e shtyni.
BLOZA DHE HIRI
PSE DPF-JA MBUSHET DHE ÇKA NUK E ZGJIDH
Dy gjëra të ndryshme mbushen brenda
Ky dallim vendos nëse filtri mund të shpëtohet:
- Bloza — grumbullohet gjatë vozitjes dhe digjet gjatë regjenerimit. E kthyeshme.
- Hiri — mbetje nga aditivët e vajit dhe konsumi i motorit. Nuk digjet kurrë. Grumbullohet përgjithmonë dhe në fund e mbaron jetën e filtrit.
Prandaj “një vrapim në autostradë” ndonjëherë ndihmon e ndonjëherë jo. Ai e djeg blozën. Hirin nuk e prek fare.
Shkaqet e vërteta — sipas radhës së shpeshtësisë
1. Regjenerime të ndërprera
Problemi nuk është aq vozitja e shkurtër sa regjenerimi që fillon dhe ndërpritet. Kur motori fiket në mes të një cikli, bloza mbetet dhe cikli i radhës fillon nga një nivel më i lartë. Disa ndërprerje me radhë e mbushin filtrin shpejt.
2. Termostati i ngecur hapur — shkaku më i nënvlerësuar
Kompjuteri nuk e lejon regjenerimin nëse motori nuk e arrin temperaturën e punës. Një termostat i ngecur hapur do të thotë që motori nuk nxehet kurrë sa duhet — dhe atëherë regjenerimi as nuk fillon, pa marrë parasysh sa gjatë vozitni.
Kjo është arsyeja pse disa vetura e mbushin DPF-në përsëri menjëherë pas pastrimit. Filtri u pastrua; shkaku mbeti.
3. Sensorët
Sensori i presionit diferencial ose gypat e tij të çarë, dhe sensorët e temperaturës së gazrave, i japin kompjuterit të dhëna të gabuara. Rezultati: ose nuk regjeneron kur duhet, ose regjeneron vazhdimisht pa nevojë.
4. Motori po prodhon shumë blozë
EGR e ngecur hapur, dizne të konsumuara, rrjedhje ajri ose turbinë me fletë të ngecura — të gjitha e rrisin blozën aq sa regjenerimet nuk arrijnë ta pastrojnë. Filtri mbushet sepse motori po e mbush më shpejt se sa mund ta djegë.
Si e prish DPF-ja turbinën
Kjo lidhje kushton dy riparime në vend të njërit. Filtri i bllokuar e rrit presionin prapa turbinës, presioni e rrit temperaturën në pjesën e nxehtë, dhe gazi i nxehtë e shtyn vajin përtej guarniturave të boshtit.
Dëmi duket si mbinxehje që fillon te rrota e turbinës dhe vazhdon përgjatë boshtit — dhe lexohet gabimisht si “mungesë vaji”. DPF-ja duhet kontrolluar para se të montohet turbinë e re.
Çka lexohet para se të jepet çmimi
| Matja | Çka tregon |
|---|---|
| Presioni diferencial në ler dhe në 2500 rrot. | Sa e bllokuar është vërtet |
| Temperatura para dhe pas DPF-së | A po ndodh djegia si duhet |
| Bloza e llogaritur përballë asaj të matur | Ndryshim i madh tregon sensor, jo filtër |
| Hiri i grumbulluar | A ia vlen pastrimi apo filtri ka mbaruar |
| Historia e regjenerimeve | A po fillojnë dhe a po përfundojnë |
| Temperatura e antifrizit gjatë vozitjes | Termostat i ngecur hapur |
- Presioni diferencial i DPF-së në ler dhe në 2500 rrotullime
- Temperaturat para dhe pas filtrit
- Bloza e llogaritur përballë asaj të matur
- Sasia e hirit — a ia vlen pastrimi
- Historia e regjenerimeve dhe ndërprerjet
- Temperatura e punës dhe gjendja e termostatit
- Gjendja e EGR-së dhe e diznave si burim blozë
Për heqjen e DPF-së — pozicioni ynë
Nuk e bëjmë, dhe arsyet janë praktike, jo vetëm ligjore:
- Është e paligjshme për vozitje në rrugë dhe nuk kalon kontrollin teknik.
- E ul vlerën e veturës në shitje.
- Dhe më e rëndësishmja: nuk e zgjidh shkakun. Nëse DPF-ja mbushej sepse termostati ishte i ngecur ose EGR-ja e ndotur, ai problem mbetet aty edhe pas heqjes.
Nëse dikush ju ofron heqje si zgjidhje “të përhershme”, po ju shet heqjen e paralajmërimit, jo riparimin e defektit.
Mitet
“Një vrapim në autostradë e rregullon gjithmonë.” Vetëm blozën, dhe vetëm nëse regjenerimi arrin të fillojë.
“Aditivi e pastron filtrin.” Aditivët mund ta ulin temperaturën e nevojshme për djegie. Hirin nuk e heqin.
“DPF-ja u bllokua, ndërroje DPF-në.” Pa u riparuar shkaku, i riu bllokohet përsëri.
PYETJE TË SHPESHTA
Sa kohë zgjat një DPF?
Varet krejtësisht nga mënyra e vozitjes dhe nga shëndeti i motorit. Hiri është ai që e mbaron, dhe ai grumbullohet ngadalë nëse motori punon mirë.
A mundet me u pastru apo duhet ndërruar?
Varet nga sasia e hirit. Nëse hiri është i lartë, pastrimi jep vetëm përmirësim të përkohshëm. Kjo matet para se të vendoset.
Pse m’u mbush prapë pas pastrimit?
Sepse shkaku nuk u riparua. Më së shpeshti: termostat, sensor, EGR ose dizne.
Çka do të thotë kur vetura fillon regjenerim vetë?
Është normale dhe ndodh rregullisht. Problemi është kur ndodh shumë shpesh, ose kur nuk arrin ta përfundojë.
A E KE KËTË PROBLEM?
Nëse DPF-ja juaj është mbushur, pyetja e parë nuk është sa kushton filtri — është pse u mbush. Sillni veturën në Sonic Garage, Ferizaj, i lexojmë presionet, temperaturat dhe historinë e regjenerimeve, dhe ju themi çka e shkaktoi.
Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00
Lexo edhe: Vetura nuk tërheq · Valvula EGR · Diagnostikë kompjuterike