PROBLEME ME VETURËN
VETURA NUK TËRHEQ
Loss of power
Vetura nuk tërheq si më parë, nuk e merr gazin, ose fuqia bie befas dhe motori nuk kalon mbi 2500–3000 rrotullime. Te motorët dizel kjo pothuajse gjithmonë kthehet te katër gjëra: DPF, EGR, turbina ose diznat — dhe secila prej tyre ka shenjën e vet që e dallon nga tri të tjerat.
A ËSHTË URGJENTE?
Nëse fuqia ka rënë befas dhe motori nuk kalon një kufi të caktuar rrotullimesh, vetura ka hyrë në limp mode — mbrojtje që e aktivizon vetë kompjuteri. Mund të vozitni ngadalë deri te servisi, por mos e mundoni dhe mos vozitni rrugë të gjata. Nëse bashkë me humbjen e fuqisë ka tym të bardhë dhe po harxhon ujë, ndaloni — kjo mund të jetë ftohësi i EGR-së ose guarnitura, dhe vazhdimi e shndërron në dëm shumë më të shtrenjtë.
SI DALLOHEN
KATËR SHKAQE QË NGATËRROHEN ME NJËRI-TJETRIN
Problemi me humbjen e fuqisë është se të katër shkaqet kryesore japin pothuajse të njëjtat shenja: humbje fuqie, limp mode, dritë e motorit. Prandaj ndërrohen pjesë me radhë derisa “qëllohet” e vërteta. Kjo nuk është e nevojshme — secila ka shenjën e vet.
Tabela që e ndan njërin shkak nga tjetri
| Çka vëreni përveç humbjes së fuqisë | Shkaku më i mundshëm |
|---|---|
| Po harxhon ujë (antifriz), tym i bardhë me erë të ëmbël | Ftohësi i EGR-së i çarë — jo valvula, jo guarnitura |
| Tym i zi, ler jo i qetë, gyp i mbushur me blozë, ujë normal | Valvula EGR e bllokuar hapur ose e mbushur me blozë |
| Fuqia vjen e pastaj bie befas, fishkëllimë, pa harxhim vaji | Fletët e turbinës të ngecura nga blloza |
| Tym i kaltërt, vaj në interkuler dhe në gypa, vaji po shkon | Turbina e prishur vërtet — kushinetat dhe guarniturat |
| Fuqia bie gradualisht, auspuhi shumë i nxehtë, regjenerime të përsëritura | DPF i mbushur |
| Dridhje, zhurmë e ashpër, ndezje e vështirë në të ftohtë | Diznat e konsumuara |
Pse turbina prishet nga DPF-ja
Kjo është lidhja që shpesh nuk shihet dhe kushton dy herë. Kur DPF-ja mbushet, presioni prapa turbinës rritet. Ky presion e ngrit temperaturën në pjesën e nxehtë të turbinës dhe e shtyn gazin përtej guarniturave të boshtit, duke e nxjerrë vajin jashtë.
Rezultati: turbina prishet, ndërrohet — dhe pas disa muajsh prishet përsëri, sepse shkaku i vërtetë, DPF-ja, ka mbetur aty. DPF-ja duhet kontrolluar dhe pastruar para se të montohet turbinë e re, përndryshe puna bëhet dy herë.
Limp mode — çka do të thotë vërtet
Limp mode nuk është defekt në vetvete. Është vendim i kompjuterit kur një vlerë del jashtë kufirit të pritur:
- Presioni i turbos shumë i lartë ose shumë i ulët — fletë të ngecura, gyp i çarë, interkuler që rrjedh
- Sasia e ajrit nuk përputhet me atë që pret kompjuteri — EGR e bllokuar, ajër që hyn diku, MAF i shkalluar
- Presioni i naftës jashtë vlerës — pompë e konsumuar, filtër i mbushur, dizne që rrjedh
- DPF mbi kufirin e blozës
Prandaj kodi i ruajtur shpesh është pasoja, jo shkaku. Kodi për presion të ulët të turbos mund të vijë nga një gyp i çarë dy pëllëmbë më larg turbinës. Ky është dallimi mes leximit të kodit dhe diagnostikimit.
Gabimi më i shtrenjtë: sensori MAF
Sensori i masës së ajrit është pjesa më e ndërruar pa nevojë te motorët VAG. Arsyeja: ai del si “i dyshimtë” te shumë kode, dhe është i lehtë për t’u ndërruar.
Por korrigjimet e karburantit e tregojnë të vërtetën. Nëse korrigjimi shumëzues është jashtë vlerës kurse ai shtues është normal, sensori vërtet është problem. Nëse është e kundërta — shtuesi jashtë vlerës dhe shumëzuesi normal — nuk është MAF-i, është ajër që po hyn diku në sistem, dhe sensori i ri nuk e zgjidh asgjë.
Një kusht i rëndësishëm: këto vlera duhen lexuar para se të fshihen kodet. Fshirja e kodeve i rivendos korrigjimet dhe e fshin provën.
- Presioni i turbos — vlera e kërkuar përballë asaj reale
- Rrjedhje ajri në gypa dhe interkuler
- Korrigjimet e karburantit, të lexuara para fshirjes së kodeve
- Presioni diferencial i DPF-së në ler dhe në 2500 rrotullime
- Temperatura para dhe pas DPF-së
- Blloza e llogaritur përballë asaj të matur
- Testi i kthimit të naftës te diznat
- Gjendja e valvulës dhe e ftohësit të EGR-së
Çka nuk duhet bërë
Mos e ndërroni turbinën pa e kontrolluar DPF-në. Nëse DPF-ja është e mbushur, turbina e re prishet përsëri.
Mos e ndërroni MAF-in sepse “zakonisht është ai”. Matni korrigjimet e karburantit i pari.
Mos i fshini kodet para se të lexohen të dhënat. Fshirja e fshin provën që duhet për ta gjetur shkakun.
Për heqjen e DPF-së ose EGR-së: nuk e bëjmë. Është e paligjshme për vozitje në rrugë, nuk kalon kontrollin teknik, dhe në shumicën e rasteve problemi themelor mbetet i pazgjidhur. Nëse DPF-ja mbushet vazhdimisht, shkaku është diku tjetër — dhe ai duhet gjetur.
PYETJE TË SHPESHTA
Pse sma merr gasin dhe e humb forcën befas?
Kjo është pamja klasike e limp mode. Kompjuteri e ka kufizuar fuqinë sepse një vlerë ka dalë jashtë kufirit — më së shpeshti presioni i turbos ose sasia e ajrit.
A mundem me vozit kështu?
Deri te servisi, ngadalë, po. Rrugë të gjata jo. Nëse bashkë me humbjen e fuqisë po harxhon ujë ose po qet tym të bardhë, ndaloni.
A e pastron DPF-në një vozitje e gjatë në autostradë?
Vetëm blozën, dhe vetëm nëse regjenerimi arrin të fillojë. Hirin nuk e heq kurrë. Dhe nëse termostati është i prishur e motori nuk nxehet mjaftueshëm, regjenerimi as nuk fillon — pa marrë parasysh sa gjatë vozitni.
Sa kohë merr me e gjet shkakun?
Zakonisht brenda ditës. Lidhja në pajisje dhe leximi i të dhënave reale merr më pak se një orë; pjesa tjetër varet nga çka gjendet.
A E KE KËTË PROBLEM?
Humbja e fuqisë është defekti ku ndërrohen më së shumti pjesë pa nevojë. Sillni veturën në Sonic Garage, Ferizaj — i lexojmë të dhënat reale të motorit dhe ju themi cila nga këto katër është, para se të blihet ndonjë pjesë.
Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00
Lexo edhe: Vetura nuk ndizet · Drita e motorit është ndezur · Diagnostikë kompjuterike · Riparim motori