SISTEMI I EGR-SË
VALVULA EGR
EGR valve and cooler
EGR-ja i kthen një pjesë të gazrave të djegies në motor për t’i ulur emetimet. Me kohë mbushet me blozë dhe ngec. Por sistemi ka dy pjesë që prishen krejt ndryshe — valvula dhe ftohësi — dhe ngatërrimi i tyre është ndër gabimet më të shtrenjta që bëhen.
A ËSHTË URGJENTE?
Valvula e ndotur: mund të vozitni deri te servisi, por fuqia dhe harxhimi do të vuajnë.
Ftohësi i çarë është tjetër gjë. Nëse po humbni antifriz dhe po qet tym të bardhë, antifrizi po hyn në cilindra. Kjo nuk duhet lënë — ndaloni dhe kontrollojeni.
DY PJESË, DY DEFEKTE
VALVULA NGEC, FTOHËSI ÇAHET
Valvula EGR — bloza dhe ngecja
Gazrat e kthyera sjellin blozë, dhe blozë e përzier me avujt e vajit bëhet një shtresë e ngjitshme. Valvula ngec ose hapur, ose mbyllur.
- Ngecur hapur: gazra hyjnë vazhdimisht, ler jo i qetë, tym i zi, humbje fuqie, ndonjëherë ndalje në ler.
- Ngecur mbyllur: zakonisht vetëm kod gabimi dhe rritje e emetimeve. Vetura mund të ecë normalisht.
Në shumë raste valvula pastrohet dhe punon prapë. Nuk duhet ndërruar automatikisht — kjo shihet pasi hiqet dhe kontrollohet.
Ftohësi i EGR-së — defekti që ngatërrohet me guarniturën
Ftohësi ka antifriz që qarkullon brenda tij. Kur çahet nga brenda, antifrizi hyn direkt në kolektor dhe digjet.
Shenjat janë: humbje antifrizi pa rrjedhje nën veturë, tym i bardhë me erë të ëmbël, dhe ndonjëherë ndezje e vështirë pas qëndrimit.
Këto janë saktësisht shenjat e guarniturës së kokës. Dallimi: guarnitura do heqjen e kokës së motorit, ftohësi ndërrohet nga jashtë. Prandaj ftohësi duhet përjashtuar para se të pranohet një ofertë për kokë.
Si dallohet EGR-ja nga turbina dhe DPF-ja
| Shenja shoqëruese | Ku është problemi |
|---|---|
| Humbje antifrizi + tym i bardhë i ëmbël | Ftohësi i EGR-së |
| Tym i zi, ler jo i qetë, kolektor me blozë, ujë normal | Valvula EGR |
| Fuqia vjen e bie, fishkëllimë, pa harxhim vaji | Fletët e turbinës të ngecura |
| Tym i kaltërt, vaj në interkuler | Turbina vetë |
| Rënie graduale, auspuh shumë i nxehtë, regjenerime të shpeshta | DPF |
Pyetja për Dieselgate — përgjigjja e ndershme
Shumë klientë pyesin nëse azhurnimi i softuerit pas skandalit të emetimeve i prish EGR-të. Ja çka dihet me siguri dhe çka jo:
- Asnjë rregullator nuk ka konstatuar se azhurnimi shkakton prishje të EGR-së, dhe testimi i pavarur i ADAC-ut nuk gjeti dëm të matshëm në emetime, harxhim apo fuqi.
- Por VW krijoi një masë dyvjeçare mbulimi për defekte të komponentëve të emetimeve pas azhurnimit, dhe shitësit nëpër Evropë kanë paguar rregullisht pjesën më të madhe të kostos së EGR-ve të prishura pas tij.
- Anketat e pronarëve që raportojnë përqindje shumë të larta prishjeje janë vetë-përzgjedhëse dhe nuk mund të merren si normë.
Përfundimi praktik: nëse vetura juaj e ka marrë azhurnimin dhe EGR-ja prishet, ia vlen ta kërkoni mbulimin te shitësi — shumë e kanë marrë. Por duhet ditur edhe se EGR-ja te ky motor prishet edhe te veturat që nuk e kanë marrë kurrë azhurnimin.
- Gjendja e valvulës — a pastrohet apo duhet ndërruar
- Niveli i antifrizit dhe kontroll me presion
- Test për gazra djegieje në sistemin e ftohjes
- Sasia e blozës në kolektor
- Presioni i turbos, për ta ndarë nga defekti i turbinës
- Kodet dhe të dhënat reale para se të fshihen
Për heqjen e EGR-së
Njësoj si me DPF-në: nuk e bëjmë. Është e paligjshme për rrugë, nuk kalon kontrollin teknik, dhe e ul vlerën e veturës. Në shumicën e rasteve valvula mund të pastrohet ose të ndërrohet me kosto shumë më të vogël se sa mendohet.
Si zgjatet jeta e EGR-së
- Vaj sipas specifikimit dhe ndërrim në kohë — avujt e vajit janë gjysma e problemit
- Vozitje që e lejon motorin të arrijë temperaturën e punës, jo vetëm nisje të shkurtra
- Riparimi me kohë i rrjedhjeve të ajrit dhe i diznave — ato e rrisin blozën
PYETJE TË SHPESHTA
A mund të pastrohet valvula EGR apo duhet ndërruar?
Shpesh pastrohet dhe punon prapë. Kjo shihet pasi hiqet — nuk duhet vendosur para kontrollit.
Po harxhoj antifriz dhe m’u tha se është guarnitura. A ka mundësi tjetër?
Po. Te motorët me ftohës EGR, ai çahet mjaft shpesh dhe jep të njëjtat shenja. Kërkoni të testohet i pari.
Ku mund të gjej EGR ventill?
Pjesa gjendet, por para se të blihet duhet konfirmuar se valvula është vërtet fajtore — kodi për EGR nuk do të thotë gjithmonë valvulë e prishur.
A e ul fuqinë EGR-ja e bllokuar?
Po, kur ngec hapur. Vetura hyn edhe në limp mode në disa raste.
A E KE KËTË PROBLEM?
Nëse keni kod për EGR ose po humbni antifriz, mos filloni me pjesë. Sillni veturën në Sonic Garage, Ferizaj — kontrollojmë a është valvula, ftohësi apo diçka krejt tjetër.
Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00
Lexo edhe: DPF i mbushur · Vetura po qet tym të bardhë · Vetura nuk tërheq