PROBLEME ME VETURËN
DRITA E MOTORIT ËSHTË NDEZUR
Check engine light
M’u ndez drita e motorit dhe nuk dini a duhet ndaluar apo mund të vazhdohet. Përgjigjja varet nga një gjë të vetme që shumica nuk e dinë: a rri e ndezur qetë, apo pulson? Këto dy gjendje kanë kuptim krejt të ndryshëm.
A ËSHTË URGJENTE?
Dritë e ndezur qetë: është regjistruar një defekt, por motori po punon brenda kufijve. Mund të vozitni deri te servisi, por mos e lini me javë — shpesh është një problem i vogël që bëhet i shtrenjtë.
Dritë që pulson: ndaloni sa më shpejt që të jetë e sigurt. Pulsimi tregon djegie të parregullt që po e dëmton katalizatorin ose DPF-në pikërisht tani. Çdo kilometër i shtuar e rrit dëmin.
ÇKA DO TË THOTË
JO ÇDO DRITË ËSHTË DRITË E MOTORIT
Dallimi që i ngatërron shumica
Te veturat dizel, sidomos VW, Audi, Skoda dhe Seat, ka dy drita që ngatërrohen vazhdimisht:
- Drita e motorit — simboli i motorit. Defekt në sistemin e motorit ose të emetimeve.
- Drita e nxemsave (grijaqave) — simboli i spirales. Kur ndizet dhe fiket normalisht në ndezje, është krejt në rregull.
Këtu është pjesa e rëndësishme: te shumë vetura VAG, drita e spirales kur pulson nuk ka të bëjë fare me nxemsat. Ajo është dritë e përgjithshme e defektit të motorit. Prandaj njerëzit i ndërrojnë nxemsat, drita kthehet pas disa ditësh, dhe paratë kanë shkuar kot.
Nëse drita e spirales pulson, mos blini nxemsa. Lexojeni kodin i pari.
Shkaqet më të shpeshta te veturat në Kosovë
Meqë pjesa më e madhe e veturave këtu janë dizel me mbi 15 vjet, radha e dyshimeve është pak më ndryshe nga ajo që lexohet nëpër faqe të huaja:
- Valvula EGR e mbushur me blozë — shumë e shpeshtë te motorët me qytet e rrugë të shkurtra
- Sensorët e presionit ose të temperaturës së DPF-së — te veturat pas vitit 2011
- Presioni i turbos jashtë vlerës — fletë të ngecura ose gyp i çarë
- Diznat jashtë tolerancës te kilometrazha e lartë
- Sensori i oksigjenit ose i NOx te modelet më të reja
- Kapaku i rezervuarit jo i shtrënguar — te benzinat, dhe po, ndodh vërtet
“Po ma fshin dritën” nuk është riparim
Fshirja e kodit e fik dritën për disa ditë. Nëse defekti është aty, drita kthehet — dhe ndërkohë janë humbur të dhënat që tregojnë kur dhe në çfarë kushtesh ka ndodhur.
Ato të dhëna janë pjesa më e vlefshme e diagnostikës. Ato tregojnë temperaturën, rrotullimet dhe ngarkesën në momentin e defektit — dhe shpesh e ndajnë shkakun e vërtetë nga pasoja. Kur fshihet kodi para se të lexohet, e humb provën.
Sa e saktë është një lexues i lirë OBD
Një lexues OBD nga interneti e jep kodin, dhe kaq. Kodi është pikënisje, jo diagnozë. Kodi P0299 do të thotë “presion i ulët i turbos” — nuk do të thotë “turbina është prishur”. Shkaku mund të jetë një gyp i çarë, valvulë vakumi, ose fletë të ngecura nga blloza.
Ajo që ndryshon punën është leximi i të dhënave reale gjatë punës së motorit: presioni i kërkuar përballë atij real, sasia e ajrit, korrigjimet e karburantit. Këtë një lexues i lirë nuk e jep.
- A rri e ndezur qetë apo pulson
- Kodet e ruajtura, para se të fshihen
- Të dhënat e momentit kur ka ndodhur defekti
- Të dhënat reale gjatë punës së motorit
- Kontroll i EGR-së, turbos dhe DPF-së sipas kodit
- Shpjegim se cili kod është shkak dhe cili është pasojë
A duhet ndaluar menjëherë?
Bëni këto tri kontrolle para se të vendosni:
- A pulson drita? Nëse po — ndaloni.
- A ka ndryshuar diçka tjetër? Humbje fuqie, zhurmë, tym, temperaturë e lartë — të gjitha e bëjnë urgjente.
- A është vetëm drita? Nëse vetura punon krejt normalisht dhe drita rri qetë, mund të vozitni deri te servisi.
PYETJE TË SHPESHTA
Pse pom dhezet drita e motorit e vetura punon mirë?
Shumë defekte të emetimeve nuk ndihen fare gjatë vozitjes — EGR, sensorë, DPF. Vetura punon normalisht, por defekti është regjistruar dhe me kohë bëhet më i shtrenjtë.
A kalon kontrollin teknik me dritën e ndezur?
Jo. Drita e motorit e ndezur është arsye për refuzim.
Ma fikën dritën te një servis dhe u kthye. Pse?
Sepse është fshirë kodi, jo riparuar defekti. Drita kthehet gjithmonë nëse shkaku është aty.
Drita e spirales po pulson — a duhet me ndërru nxemsat?
Jo pa e lexuar kodin. Te veturat VAG kjo dritë kur pulson tregon defekt të përgjithshëm të motorit, jo domosdoshmërisht nxemsat.
A E KE KËTË PROBLEM?
Drita e motorit nuk tregon çka është prishur — tregon që diçka është regjistruar. Sillni veturën në Sonic Garage, Ferizaj, e lexojmë kodin bashkë me të dhënat reale, dhe ju shpjegojmë çka do të thotë para se të ndërrohet ndonjë pjesë.
Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00
Lexo edhe: Vetura nuk tërheq · Vetura nuk ndizet · Diagnostikë kompjuterike