PROBLEME ME VETURËN
VETURA NUK NDIZET
Car won’t start
Vetura nuk po dhezet, ose po vergllat shumë dhe prapë nuk merr. Para se të ndërrohen nxemsat ose akumulatori, duhet ndarë qartë njëra situatë nga tjetra: a rrotullohet motori apo jo? Kjo pyetje e vetme e ndan problemin në dysh dhe kursen shumicën e parave që humbin shoferët në këtë defekt.
A ËSHTË URGJENTE?
Nuk është e rrezikshme për veturën nëse thjesht nuk ndizet — por mos e mundoni starterin. Provimi i gjatë e mbinxeh starterin, e shkarkon akumulatorin dhe, te motorët dizel, mund ta mbushë cilindrin me naftë. Provoni maksimum 10 sekonda, pastaj pushoni 30 sekonda. Nëse pas tri provave nuk merr, ndaloni dhe kërkoni ndihmë.
SHKAQET E MUNDSHME
DY SITUATA KREJT TË NDRYSHME
1. Motori rrotullohet, por nuk merr
Dëgjoni “vrr-vrr-vrr” normal, por motori nuk ndizet. Këtu akumulatori dhe starteri janë në rregull — problemi është te ndezja, karburanti ose kompresioni.
Nxemsat (grijaqat) — te dizeli, në të ftohtë
Nëse vetura ndizet normalisht kur është e ngrohtë por jo në mëngjes, dyshimi i parë janë nxemsat. Shenja tipike: drita e spirales në tabelë ndizet dhe fiket normalisht, por motori vetëm rrotullohet dhe qet pak tym të bardhë.
Kujdes me një gjë: te veturat VAG (Golf, Passat, Audi), drita e nxemsave nuk është vetëm për nxemsat. Kur pulson, ajo është dritë e përgjithshme e defektit të motorit. Prandaj shumë njerëz i ndërrojnë nxemsat, drita kthehet prapë, dhe paratë shkojnë kot. Kodi duhet lexuar para se të ndërrohet diçka.
Diznat (injektorët)
Diznat e konsumuara e humbin presionin gjatë natës ose nuk e pulverizojnë naftën si duhet. Vetura ndizet vështirë, dridhet në fillim, dhe pas disa sekondash rregullohet. Te motorët 1.9 dhe 2.0 TDI kjo është ndër shkaqet më të shpeshta te kilometrazha e lartë.
Testi që e tregon këtë saktë është testi i kthimit të naftës — matet sa naftë kthen secila dizne ndërsa motori punon. Nuk është hamendje: shihet cila dizne është jashtë vlerës.
Kompresioni dhe boshti me bregore
Te motorët 1.9 TDI me shumë kilometra, boshti me bregore konsumohet pikërisht te vendet ku i shtyn pompat e diznave. Kur ndodh kjo, motori nuk krijon presion të mjaftueshëm dhe ndizet shumë vështirë në të ftohtë.
Një shenjë që ndihmon: nëse niveli i vajit po rritet dhe vaji ka erë nafte, ka rrjedhje nga pompa tandem. Nafta e hollon vajin, vaji nuk e mbron më boshtin, dhe konsumimi përshpejtohet. Kjo është arsye për ta kontrolluar menjëherë.
Nafta dhe filtri
Filtri i naftës i mbushur, ajër në sistem ose pompë e dobët e japin të njëjtën pamje. Në dimër, nafta verore mund të trashet dhe ta bllokojë filtrin — problem që shfaqet vetëm në ditët e ftohta.
2. Motori nuk rrotullohet fare
Kur e ktheni çelësin dëgjoni vetëm një “klak”, ose asgjë. Këtu problemi është elektrik dhe zakonisht më i lirë.
Akumulatori dhe lidhjet
Shkaku më i shpeshtë. Por para se të blihet akumulator i ri: kontrolloni kokat e akumulatorit. Oksidimi ose një kokë e liruar e jep saktësisht të njëjtën pamje si akumulatori i vdekur, dhe rregullimi është pesë minuta.
Nëse akumulatori shkarkohet gjatë natës, akumulatori mund të jetë krejt në rregull — diçka po e harxhon rrymën kur vetura është e fikur. Kjo matet, nuk hamendësohet.
Starteri
Një “klak” i vetëm dhe asgjë tjetër shpesh do të thotë starter ose relè. Nëse vetura ndizet kur shtyhet (te marshi manual), motori dhe karburanti janë në rregull dhe faji është te pjesa elektrike e ndezjes.
Alternatori — shkaku që fshihet prapa akumulatorit
Nëse akumulatori shkarkohet vazhdimisht edhe pas ndërrimit, problemi mund të jetë alternatori që nuk po e mbush si duhet. Ndërrimi i akumulatorit të dytë brenda pak muajsh është shenjë e qartë se duhet matur mbushja.
- A rrotullohet motori apo jo — ndarja e parë
- Tensioni i akumulatorit dhe mbushja nga alternatori
- Harxhimi i rrymës kur vetura është e fikur
- Kodet e ruajtura dhe të dhënat reale të motorit
- Nxemsat, secila veç e veç
- Testi i kthimit të naftës te diznat
- Presioni i naftës dhe gjendja e filtrit
Çka nuk duhet bërë
Mos i ndërroni nxemsat sepse është ndezur drita. Te VAG-u ajo dritë ka kuptim shumë më të gjerë. Lexojeni kodin i pari.
Mos e ndërroni akumulatorin pa e matur mbushjen. Nëse alternatori nuk mbush, akumulatori i ri shkarkohet po ashtu.
Mos përdorni sprej ndezjeje te dizeli. Në motor me nxemsa mund të shkaktojë dëmtim serioz të pistonëve.
Mos e mundoni starterin. Nëse nuk merr për tri prova, po e bëni problemin më të shtrenjtë.
PYETJE TË SHPESHTA
Pse vetura po vergllat shum e prapë nuk dhezet?
Nëse nxemsat punojnë dhe prapë nuk merr, shkaku zakonisht është te kompresioni ose te diznat, jo te nxemsat. Duhet matur para se të ndërrohet.
A është normale të mos ndizet me të parën në -18 gradë?
Një motor dizel i shëndoshë me nxemsa të mira duhet të ndizet edhe në ftohtë të madh, ndoshta me pak dridhje në fillim. Nëse ju duhen disa prova, diçka është veç konsumuar.
Vetura ndizet kur është e ngrohtë, jo në mëngjes. Pse?
Kjo pothuajse gjithmonë tregon nxemsa, kompresion të ulët ose dizne që e humbin presionin gjatë natës. Motori i ngrohtë e mbulon konsumimin.
Sa kushton me e gjet problemin?
Varet çka gjendet, por diagnostika bëhet para çdo ndërrimi pjese. Preferojmë ta shohim veturën sesa të japim çmim me telefon për një defekt që nuk e kemi matur.
A E KE KËTË PROBLEM?
Nëse vetura nuk po ndizet dhe nuk jeni i sigurt se ku është problemi, mos i ndërroni pjesët me radhë. Na kontaktoni në Sonic Garage, Ferizaj — e lidhim veturën në pajisje, e matim, dhe ju themi saktësisht çka është.
Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00
Lexo edhe: Vetura nuk tërheq · Drita e motorit është ndezur · Diagnostikë kompjuterike