GOLF 5 PO DRIDH MOTORRI

VOLKSWAGEN · DRIDHJE

GOLF 5 PO DRIDH MOTORRI

Rough idle and vibration

Motori dridhet kur vetura rri në ler, ose dridh shumë gjatë nisjes dhe pastaj qetësohet. Te dizeli kjo shpesh diagnostikohet menjëherë si volant dymasor — dhe kjo është një nga diagnozat më të shpeshta të gabuara që bëhen.

A ËSHTË URGJENTE?

Zakonisht jo urgjente, por nuk duhet lënë gjatë. Dridhja e vazhdueshme i dëmton volantin, mbështetësit e motorit dhe me kohë vetë ndërruesin e shpejtësive. Nëse dridhja shoqërohet me dritë të motorit që pulson, ndaloni — kjo tregon djegie të parregullt që e dëmton katalizatorin ose DPF-në.

RADHA E DYSHIMEVE

PSE VOLANTI NDËRROHET MË SHPESH SE SA DUHET

Së pari: kur dridhet?

Momenti i dridhjes e ngushton shkakun më shumë se çdo gjë tjetër:

  • Vetëm gjatë nisjes, pastaj qetësohet — nxemsat, dizne, kompresion
  • Në ler, kur rri në vend — dizne, EGR e ndotur, mbështetësit e motorit
  • Kur fiket motori — mbështetësit e motorit ose volanti
  • Kur është në D dhe frenon (automatik) — mbështetësit, ose ndërruesi
  • Gjatë vozitjes, rritet me shpejtësinë — nuk është motori: rrota, gomat, bilancimi

Diznat — shkaku më i shpeshtë te dizeli

Një dizne që nuk pulverizon si duhet e bën një cilindër të japë më pak fuqi se të tjerët. Rezultati është dridhje në ler dhe gjatë nisjes. Kjo matet me testin e kthimit të naftës dhe me krahasimin e korrigjimeve për secilin cilindër — kompjuteri i tregon vetë cili cilindër po e prish ritmin.

Kjo është matje, jo hamendje. Dhe është arsyeja pse dridhja nuk duhet trajtuar duke filluar nga pjesa më e shtrenjtë.

Mbështetësit e motorit

Mbështetësit e konsumuar e lëshojnë dridhjen normale të motorit në karroceri. Shenja tipike: dridhje e ndjeshme kur motori fiket ose ndizet, dhe kur vetura rri në vend me marsh të futur. Pjesë relativisht e lirë dhe shpesh e harruar.

Volanti dymasor — dhe pse ndërrohet pa nevojë

Volanti dymasor ka luajtje të lejuar nga fabrika. Shumë shenja që trajtohen si “volanti është prishur” janë brenda tolerancës:

  • Gjurmë të vogla graso në pjesën e pasme nuk janë defekt
  • Ngjyrosje e artë, e kaltërt ose njolla të errëta në sipërfaqe nuk janë defekt
  • Luajtje aksiale deri në rreth 2 mm është brenda tolerancës te shumica e tipave

Vlerësimi i saktë bëhet duke matur këndin e lirë të rrotullimit mes dy masave dhe duke e krahasuar me vlerën e prodhuesit për atë tip — jo me një vlerë të përgjithshme.

Dhe këtu është pjesa më e rëndësishme: volanti shpesh prishet nga diçka tjetër. Një dizne e prishur ose një cilindër që nuk digjet mirë e godet volantin vazhdimisht. Nëse ndërrohet volanti pa u riparuar shkaku, i riu prishet përsëri. E njëjta gjë vlen për starterin e prishur ose dhëmbëzimin e dëmtuar.

Vlen të përmendet edhe një shkak që në Kosovë nuk është i rrallë: çipimi i motorit. Rritjet e mëdha të fuqisë i ngarkojnë sustat e volantit përtej asaj për të cilën janë ndërtuar dhe e shkurtojnë jetën e tij ndjeshëm.

Po volanti i ngurtë (solid)?

Kthimi në volant të ngurtë është më i lirë, por te një dizel modern ai e transferon goditjen te ndërruesi i shpejtësive dhe e rrit dukshëm zhurmën dhe dridhjen në kabinë. Është vendim kostoje, jo përmirësim.

Radha që kursen para

Te një Golf 5 dizel që dridhet, radha e drejtë është:

  • Së pari kodet dhe korrigjimet për cilindër — tregojnë menjëherë nëse një cilindër po jep më pak
  • Së dyti diznat, me test kthimi
  • Së treti mbështetësit e motorit — të lira dhe shpesh fajtorë
  • Së fundi volanti, dhe vetëm i matur

Volanti është pjesa më e shtrenjtë në këtë listë dhe ajo që matet më rrallë. Kjo duhet të jetë e kundërta.

PYETJE TË SHPESHTA

Golf 5 po dridh motorri vetëm në ler — çka është?
Më së shpeshti dizne ose mbështetës motori. Kompjuteri e tregon nëse një cilindër po jep më pak.

A duhet ndërruar volanti nëse dridh gjatë fikjes?
Jo pa u matur. Dridhja gjatë fikjes shpesh vjen nga mbështetësit e motorit.

Kcen vetura ler gaz — a lidhet me këtë?
Po. Rrotullimet që luhaten në ler tregojnë zakonisht EGR të ndotur, ajër që hyn diku, ose dizne jashtë vlerës.

Sa zgjat volanti dymasor?
Varet nga mënyra e vozitjes dhe nga gjendja e motorit. Çipimi dhe dizne të prishura e shkurtojnë ndjeshëm.

A E KE KËTË PROBLEM?

Para se të pranoni një ofertë për volant, kërkoni të matet. Sillni veturën në Sonic Garage, Ferizaj — i lexojmë korrigjimet për secilin cilindër dhe ju themi nëse dridhja vjen nga motori apo nga volanti.

Telefon: 045 934 924 · Beteja Ilire, Muhoc, Ferizaj · E hënë–E shtunë, 08:00–20:00

Lexo edhe: Vetura nuk ndizet · Vetura nuk tërheq · Servis i transmisionit